Qeveria britanike njoftoi se tanimë, nga 25 Shkurti 2026, vizat britanike nuk do të lëshohen më në pasaportë, por ato do të aksesohen vetëm online si e-visa.

Ky ndryshim ka gjetur të papërgatitur shumë aplikantë të vizës britanike, të cilët janë konfuzë në lidhje me procesin, çfarë nënkupton e-visa, si kryhet ky proces etj.

Çfarë ndryshon me e-visa?

Në thelb, ndryshimi i vetëm dhe kryesor i e-visa është eliminimi i vizës fizike (sticker) në pasaportë. Kjo do të thotë se procesi i aplikimit mbetet i njëjtë dhe asgjë nuk ka ndryshuar në këtë drejtim.

Aplikantët për vizë britanike do të vazhdojnë:

  • të mbledhin dokumentet e tyre
  • të kryejnë/plotësojnë aplikimin për vizë online
  • të paraqiten për të dhënë shenjat e gishtave në qendrën e aplikimeve VFS në Tiranë

Çfarë ndodh me pasaportën?

Pas procesit të parë, i cili nuk ka asnjë ndryshim, është e rëndësishme të theksohet se pasaporta e aplikantëve do të kthehet në ditën e dhënies së shenjave të gishtave.

Pra, ju nuk do të keni më nevojë të bllokoni pasaportën tuaj, siç ndodhte më parë.

Si e merrni e-visa?

Në momentin e marrjes së përgjigjes në emailin tuaj në lidhje me rezultatin e aplikimit për vizë, ju do të njoftoheni për hapat e radhës për të aksesuar vizën tuaj online (e-visa).

Ky proces është tejet i rëndësishëm, pasi nëse ju nuk plotësoni siç duhet të dhënat tuaja, atëherë mund të hasni vështirësi në aksesimin e e-visës tuaj.

Çfarë do të thotë kjo në praktikë?

Në emailin e marrë nga zyra britanike e emigracionit, ju kërkohet të hapni një llogari online në linkun e dërguar prej tyre.

Në hapjen e llogarisë do t’ju kërkohet:

  • të keni afër jush pasaportën
  • të dhënat e aplikimit (numrin e referencës)
  • një telefon për të shkarkuar aplikacionin për skanimin e pasaportës dhe të dhënave biometrike (foto)

Kujdes: Të dhënat e vendosura në hapjen e llogarisë duhet të korrespondojnë me të dhënat e aplikimit tuaj për vizë. Çdo ndryshim mund të sjellë probleme me aksesimin e vizës tuaj.

Aksesimi dhe përdorimi i e-visa

Në fund të procesit të regjistrimit, ju do të njoftoheni me email për të hyrë dhe për të aksesuar vizën tuaj.

Sa herë që ju do të hyni apo do t’ju kërkohet të tregoni statusin tuaj online të e-visa, do t’ju kërkohen kredencialet tuaja:

  • numri i pasaportës
  • email
  • numër telefoni

Këto duhet të jenë të sakta dhe sipas regjistrimit fillestar.

Kjo procedurë do t’ju kërkohet sa herë që ju udhëtoni drejt Mbretërisë së Bashkuar, ndaj është shumë e rëndësishme që të jetë një procedurë e saktë dhe e kryer me korrektësi.

Edhe pse ndryshimi drejt e-visa mund të duket i ri dhe pak konfuz në fillim, në praktikë procesi i aplikimit mbetet i njëjtë.

Dallimi kryesor është mënyra se si ju aksesoni vizën tuaj pas miratimit, ndaj është shumë e rëndësishme të ndiqni me kujdes hapat e regjistrimit dhe të siguroheni që të dhënat tuaja të jenë të sakta.